Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë vizitës së tij zyrtare në Athinë, është takuar me Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, shkruan Fol Drejt.
“Fillimisht, zëvendëskryeministri Bislimi përforcoi mesazhin e Kryeministrit Kurti, në solidaritet dhe mbështetje të Kosovës ndaj Greqisë në këtë moment të vështirë pas aksidentit tragjik hekurudhor të ndodhur gjatë kësaj jave.”, thuhet në raportin e Zyrës së Kryeministrit.
Tutje, në komunikatë thuhet se gjatë takimit është diskutuar rreth marrëdhënieve Kosovë-Greqi dhe mundësisë së thellimit të tyre. Në takim u theksua se raportet e shkëlqyeshme ekzistuese mes dy vendeve mund të fuqizohen përmes bashkëpunimit në sfera të ndryshme me interes të përbashkët dhe që synimi i Kosovës është të ndërtimi i urave të bashkëpunimit dhe ndërveprimit me një vend mik dhe partner siç është Greqia.
“Zëvendëskryeministri Bislimi e informoi ministrin Dendias edhe mbi zhvillimet në lidhje me rrugëtimin e Kosovës në proceset e integrimit evropian dhe hapat e ndërmarra si dhe procesin e dialogut dhe takimin e fundit të mbajtur në Bruksel.”, thuhet në fund të njoftimit. /FolDrejt/