Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim një ekip nga Banka Evropiane për Investime, raporton Fol Drejt.
“Pjesë e këtij delegacioni ishin kryesuesi i Divizionit për Ballkanin Perëndimor dhe Turqi, Matteo Rivellini, kreu i njësisë, Guido Clary dhe menaxheri i operimeve të BEI-së për Shqipërinë dhe Kosovën, Konstantinos Mastrogiannopoulos.” shkruan në raportin për medie të Zyrës për Komunikim Publik të Kryeministrit.
Sipas raportit, Rivellini ka theksuar në fillim të takimit bashkëpunimin e shkëlqyeshëm që Banka Evropiane për Investime ka me shtetin e Kosovës. Ai ka shtuar se ky bashkëpunim faktohet edhe nga shifrat, ku nga viti 2013 janë dhënë në formë asistence mbi 250 milionë euro për Kosovën.
“BEI bashkëpunon në disa struktura dhe sektorë si infrastruktura, sistemi i ujërave, sektori privat si dhe do të shtojë fokusin në të ardhmen e afërt më shumë edhe drejt sektorit të energjisë, me qëllim adresimin e krizës së energjisë dhe dekarbonizimin. Po ashtu, u përmend se BEI është në proces të hapjes së një zyre të saj edhe në Kosovë, ku një ndër objektivat e tyre të ardhshëm është rritja e angazhimit në Kosovë dhe rajon. Në lidhje me këtë, zëvendëskryeministri Bislimi ofroi mbështetjen e tij dhe theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës e përkrah këtë iniciativë.”, thuhet tutje në raport.
Tutje, Bislimi ka theksuar se prioritetet e Qeverisë, ndër të tjera, janë edhe rritja e financimit në sektorin e energjisë, sistemit të ujërave, menaxhimit të mbeturinave, ndërmarrësisë, rritjen e investimeve, politikat sociale dhe sundimin e ligjit. Poashtu, u diskutua edhe për 3 projekte të mëdha sa i përket dixhitalizimit.
Krejtësisht në fund, palët janë pajtuar që të vijojë bashkëpunimi i afërt e veçanërisht në përshpejtimin e hapjes së zyrës së Bankës Evropiane për Investime në Kosovë si dhe në drejtim të projekteve më të mëdha zhvillimore për Kosovën. /FolDrejt/