Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, mirëpriti sot në takim Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, dhe të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Mbarëvajtja e procesit të dialogut, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe hapat e ardhshëm në këtë proces ishin në qendër të fokusit të takimit dhe temave të diskutimit. Zëvendëskryeministri Bislimi ritheksoi se dialogu është në shërbim të qytetarëve dhe paqes e sigurisë së përgjithshme, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke. U potencua pacenueshmëria e parimeve të sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues.
Zëvendëskryeministri u shpreh mirënjohës për angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mbështetur procesin e dialogut të drejtuar nga BE-ja.
Eskobar tha se ky proces ka përkrahje të plotë nga ana e ShBA-së. Ndërkohë, Emisari i Bashkimit Evropian tha se ky takim është një mundësi e mirë për të vazhduar diskutimet dhe avancuar më tej në këtë proces.
Gjithashtu, Bislimi konfirmoi përkushtimin e Kosovës në vazhdimin e angazhimit konstruktiv në procesin e dialogut.