Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se gjatë qëndrimit të tij në Suedi, Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, është pritur në takim nga Sekretari i Shtetit për Punë të Jashtme të Suedisë, Jan Knutsson, me të cilin kanë diskutuar për të ardhmen evropiane të Kosovës, shkruan Fol Drejt.
Zëvendëskryeministri Bislimi ka folur mbi objektivat dhe synimet e radhës, ku puna dhe angazhimi i Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian do të vijojë pareshtur.
“Përtej vazhdimit të avancimit deri në anëtarësimin e plotë në Këshillin e Evropës, marrja e pyetësorit dhe më tej e statusit të vendit kandidat vijojnë të mbeten prioritare dhe me vëmendje të veçantë.”, thuhet tutje në komunikatë.
Përveë kësaj, zëvendëskryeministri Bislimi ka theksuar se Kosova është gati për hapat e radhës dhe po e dëshmon këtë përmes sukseseve që vendi po i arrin dhe avancimit të shpejtë në përmbushjen e agjendës evropiane. /FolDrejt/