Autoritetet bjelloruse shpjeguan sot se fluturimi Ryanair, i rrëmbyer një ditë më parë në aeroportin e Minskut, me një kundërshtar politik në bord, ishte kërcënuar në një email që pretendohet të ishte nga organizata palestineze Hamas.
“Ne, ushtarë të Hamasit, kërkojmë që Izraeli të ndalojë të shtënat në sektorin e Gazës. Ne kërkojmë që Bashkimi Europian të ndalojë mbështetjen e tij për Izraelin (…). Nëse kërkesat tona nuk plotësohen, një bombë do të shpërthejë (në bordin e avionit Ryanair) mbi Vilnius”, tha drejtori i Ministrisë bjelloruse të Transportit, Artem Sikorski, duke pretenduar citimin e një përkthimi rusisht të mesazhit të marrë në anglisht.
Një avion luftarak bjellorus ”MIG-29” interceptoi avionin e pasagjerëve ”Boeing 737-8AS” të kompanisë ”Ryanair” duke kaluar nëpër hapësirën ajrore bjelloruse, ndërkohë që po udhëtonte nga Athina në Vilnius.
Avioni i pasagjerëve u detyrua të ulej në Minsk për shkak të një kërcënimi për bombë.
Sipas raporteve të fundit, në aeroport pretendohet se është arrestuar gazetari Roman Protasevich, të cilin autoritetet bjelloruse e akuzojnë për përfshirje në aktivitete të pretenduara terroriste.
Avioni i ”Ryanair” mbërriti në Vilnius, Lituani, me shtatë orë vonesë.