Bjellorusia ka thënë se ka vendosur të pranojë armët taktike bërthamore ruse pas viteve të presionit nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj që synojnë të ndryshojnë drejtimin e saj politik dhe gjeopolitik.
Presidenti rus Vladimir Putin tha të shtunën se Moska do të kërkojë të vendosë armë taktike bërthamore në Bjellorusinë fqinje, një aleate e vendosur, në të ardhmen, duke përshkallëzuar konfliktin me Perëndimin, përcjell Fol Drejt.
Ministria e Jashtme e Bjellorusisë justifikoi vendimin e saj për të bashkëpunuar me Rusinë në një deklaratë, duke thënë se Minsk po vepronte për të mbrojtur veten nga Perëndimi.
“Gjatë dy viteve e gjysmë të fundit, Republika e Bjellorusisë ka qenë e ekspozuar ndaj presionit të paprecedentë politik, ekonomik dhe informativ nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e tyre në NATO, si dhe nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian.” thuhet në deklaratë.
“Duke pasur parasysh këto rrethana dhe shqetësimet dhe rreziqet e justifikuara në sferën e sigurisë kombëtare që rrjedhin prej tyre, Bjellorusia është e detyruar të përgjigjet duke forcuar kapacitetet e veta të sigurisë dhe mbrojtjes”.
Minsk tha se planet bërthamore të Rusisë nuk do të bien ndesh me marrëveshjet ndërkombëtare për mospërhapjen e armëve bërthamore, sepse vetë Bjellorusia nuk do të kishte kontroll mbi armët./FolDrejt/