Kryetari i Lidhjes së Qendrave për Punë Sociale, Blerim Shabani është shprehur i shqetësuar për gjendjen nëpër Qendrat për Punë Sociale, në tryezën e cila po mbahet sot në Prishtinë.
“Do të ishte shumë e nevojshme që në shkollë të ketë një punëtor social, pedagog dhe psikolog, në mënyrë që të identifikohet problemi në fillim sepse ne po merremi vetëm me pasojat”, tha ai.
Dhuna në shkolla është më së shumti dhunë fizike.
Shabani ka folur rreth procedurave në rastet e dhunës, bashkëpunimin me prokurorinë, drejtoritë e arsimit dhe të tjera, transmeton Fol Drejt.
“Dhuna deri në 14 vjeç është pa përgjegjësi penale, ndërsa mbi 14 vjeç me përgjegjësi penale”, është shprehur Kryetari i Lidhjes së Qendrave për Punë Sociale.
Sfidat kryesore sipas Shabanit janë rastet e shumta të dhunës e profilet jo të duhura në qendrat për punë sociale, pastaj mungesa e psikologëve në këto qendra dhe të tjera.
Ai ka bërë thirrje që të ndërtohen plane veprimi, ngaqë kur mbërrihet tek pasojat sipas tij veprimi është shumë i vonshëm./FolDrejt/