Real Madrid tregohet i durueshëm dhe po planifikon një goditje të madhe në merkaton e vitit 2024.
Ekipi spanjoll ka ndryshuar planin e tij strategjik dhe, siç raporton “AS”, tashmë po punon me idenë për të aktivizuar klauzolën e Erling Haaland në sezonin 2024.
Një mekanizëm arratisjeje, që llogaritet të jetë 150 milionë euro, që bomberi norvegjez përfshiu në kontratën e tij kur nënshkroi me Manchester City.
Arsyeja për të kërkuar durim nga Haaland bazohet në faktin se në këtë mënyrë do të bëhej një tranzicion i ëmbël me Benzema, i cili në vend që të shuhej në moshën 34-vjeçare, ka pasur sezonin më të mirë të karrierës së tij. Florentino Perez vazhdon të jetë mbrojtësi më i vendosur i sulmuesit francez dhe nuk e konsideron si lojtar rezerv edhe për të paktën dy vite, por përkundrazi, e dëshiron ende si sulmuesin kryesor të ekipit. Presidenti i “Los Blancos” ende beson se francezi do të jetë në formën e tij më të mirë edhe për të paktën dy sezone. “Nëse një tjetër sulmues do të vinte, do të qëndronte në stol pasi titullari absolut është Benzema”, u shpreh Florentino.
Si përfundim, Real Madrid do të tregojë durim deri në sezonin 2024 dhe më pas do të aktivizojë klauzolën prej 150 milionë euro të Haaland për ta sjellë në Madrid./FolDrejt/