Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, diskutoi me ministrin e Jashtëm të Kuvajtit, Salem Abdullah Al-Jaber Al-Sabah, mbi çështjet dypalëshe dhe rajonale.
Në kuadër të takimeve në Washington, ministri i Jashtëm kuvajtian u takua me kryediplomatin amerikan.
Në një deklaratë me shkrim nga Departamenti Amerikan i Shtetit lidhur me takimin thuhet se “Dy ministrat vendosën theksin për qëndrueshmërinë e partneritetit strategjik SHBA-Kuvajt dhe ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin për një sërë interesash të përbashkëta”, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Blinken falënderoi ministrin Al-Sabah për mbështetjen e Kuvajtit për evakuimin e shtetasve amerikanë nga Sudani, thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se dy zyrtarët trajtuan krizën e Sirisë dhe rikthimin e regjimit sirian të Bashar Al-Asadit në Ligën Arabe.
“Blinken teksa diskutoi krizën siriane vuri theksin mbi rëndësinë e përparimit drejt një zgjidhjeje politike në përputhje me rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe theksoi se SHBA-ja nuk do të normalizojë marrëdhëniet me regjimin e Asadit deri kur të shënohet një përparim i vërtetë drejt një zgjidhjeje të përhershme politike”, thuhet në deklaratë.
Ndër të tjera në deklaratën ku ndahet informacioni se palët diskutuan edhe çështjen e konfiskimit të tankerëve nga Irani në ujërat ndërkombëtare, thuhet se Blinken ka theksuar se ngacmimet e Iranit ndaj anijeve janë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe dëmtojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
“Ministrat gjithashtu diskutuan përpjekjet për vetëmbrojtjen e Ukrainës kundër agresionit të Rusisë; si dhe nevojën për mbështetjen e përparësive të ndihmës humanitare në rajon dhe botë”, thuhet në deklaratë./FolDrejt/