Dërgimi i përforcimeve ushtarake ruse në rajonin e Kharkiv, ku Ukraina ka kaluar në kundërsulm, tregon se Moska po paguan një “çmim të madh” për agresionin e saj, tha sot nga Brukseli Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken .
“Numri i ushtarëve rusë në Ukrainë është i madh dhe, për fat të keq, Presidenti (i Rusisë, Vladimir) Putin ka treguar se do të dërgojë edhe më shumë: ky është një çmim i madh për Rusinë”, tha Blinken në një konferencë shtypi të mbajtur me Sekretarin e NATO-s. Gjenerali Jens Stoltenberg, shkruan protothema, transmeton Fol Drejt.
Bazuar në pamjet e transmetuara sot nga agjencitë ruse të lajmeve, automjete të blinduara dhe topa janë dërguar në rajonin e Kharkiv në verilindje të Ukrainës.
Një zyrtar i lartë i pushtimit, Vitaly Gadchev, i tha kanalit televiziv Rossiya 24 se “luftime të ashpra” po zhvilloheshin rreth qytetit të Balaklia, të cilin Kievi thotë se e ka rimarrë.
Stoltenberg, nga ana e tij, u kërkoi aleatëve që t’u sigurojnë forcave ukrainase pajisje dimërore, të tilla si veshje, tenda dhe gjeneratorë, në mënyrë që ushtarët ukrainas të vazhdojnë të luftojnë kur moti bëhet i ftohtë. Në dimër, temperatura mesatare në pjesën më të madhe të vendit bie nën zero. Nuk është e pazakontë që merkuri të bjerë deri në -15 gradë Celsius.
“Dimri po vjen, do të jetë i ashpër dhe për këtë arsye ne duhet të vazhdojmë t’i furnizojmë (ukrainasit) me armë dhe municione, por edhe me uniforma dimërore, tenda, gjeneratorë dhe të gjitha pajisjet që u nevojiten për dimër,” u tha ai gazetarëve.
Stoltenberg u bëri thirrje gjithashtu aleatëve që të rrisin prodhimin e mbrojtjes dhe të bëjnë inventarin e rezervave të tyre, në mënyrë që ata të mund të dorëzojnë më shumë armë në Kiev. “Ne jemi në kontakt të ngushtë me industrinë e mbrojtjes, me kryeqytetet (…) për të siguruar që ne të intensifikojmë prodhimin, që të rimbushim rezervat tona. Kjo është bërë edhe për të siguruar që ne të kemi armë, municione, aftësi për të parandaluar (veprime agresive) dhe për të mbrojtur veten”, shtoi ai./FolDrejt/