Ministrat e Jashtëm nga Grupi i Shtatë vendeve të industrializuara u mblodhën të martën në Londër për takimin e tyre të parë ballë për ballë në më shumë se dy vjet. Ndër çështjet kryesore në rend të ditës ishte Kina, e cila po demonstron një fuqi në rritje: nëse do të sfidohet ajo apo do të joshet drejt bashkëpunimit.
Vendi pritës, Britania, synon të tregojë se klubi i vendeve të pasura ka ende ndikim në botën e sotme që po ndryshon me shpejtësi dhe ka paralajmëruar se qëndrimet gjithnjë e më agresive të Rusisë, Kinës dhe Iranit paraqesin një sfidë për shoqëritë demokratike dhe ligjin ndërkombëtar. Sekretari i Jashtëm britanik Dominic Raab tha se takimi “demonstron se diplomacia është rikthyer”. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken nënvizoi se Shtetet e Bashkuara po solidarizohen sërish me aleatët e tyre ndërkombëtarë që kur Presidenti Joe Biden zëvendësoi paraardhësin e tij Donald Trump, kredoja e të cilit ishte “Amerika e para”.
Zoti Blinken tha se angazhimi me Kinën “nga një pozicion force … nënkupton të punosh realisht me aleatët dhe partnerët, duke mos i përçmuar ata”. “Kjo do të thotë të mbështetesh dhe të përfshihesh në një grup të madh organizatash shumëpalëshe dhe ndërkombëtare, sepse aty bëhen shumë prej rregullave. Aty formohen normat,” tha ai. “Dhe nëse nuk e shfrytëzojmë mundësinë, ne e dimë që Pekini ka të ngjarë të përpiqet ta bëjë këtë në vendin tonë.”