Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, bëri një udhëtim të paparalajmëruar në Kabul, për t’i njoftuar zyrtarët atje me planet e SHBA-së për tërheqjen e trupave deri më 11 shtator.
Vizita e Blinkenit vjen disa orë pas njoftimit të presidentit amerikan, Joe Biden, se ai do t’i japë fund luftës më të gjatë të SHBA-së, duke i kthyer në shtëpi 2,500 trupat e mbetura amerikane në Afganistan.
Blinken takoi presidentin afgan, Ashraf Ghani, dhe zyrtarë të lartë amerikanë në Kabul.
“Me vizitën time, dua të demonstroj përkushtimin e vazhdueshëm të SHBA-së ndaj Republikës Islamike dhe popullit të Afganistanit”, tha Blinken pas takimit me Ghanin.
“Partneriteti po ndryshon, por vetë partneriteti është i qëndrueshëm”, theksoi ai.
“Ne e respektojmë vendimin dhe do t’i përshtatim përparësitë tona”, tha Ghani.
Një ditë më herët, edhe NATO-ja njoftoi se 7,000 ushtarët e saj joamerikanë në Afganistan do të largohen po ashtu nga ky vend, brenda disa muajsh.