Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se proceset e shitjeve ushtarake të huaja të SHBA-së për vendet si Turqia dhe India duhet të bëhen më shpejt dhe në mënyrë efikase
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken deklaroi se proceset e shitjeve ushtarake të huaja të SHBA-së për vendet si Turqia dhe India duhet të bëhen më shpejt dhe në mënyrë efikase, shkruan AA, transmeton FolDrejt.
Në seancën e buxhetit në Komitetin e Marrëdhënieve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Blinken vlerësoi politikën e jashtme amerikane dhe bëri deklarata lidhur me shitjet e armëve për vendet e huaja.
Blinken iu përgjigj deputetit të Karolinës së Jugut, Joe Wilson i cili parashtroi pyetjen se “Shitjet tona ushtarake të huaja pengohen me burokraci të panevojshme. Për shembull, si mund ta kapërcejmë këtë burokraci për të ndihmuar dhe punuar me aleatët tanë si Turqia dhe India?”.
Sekretari amerikan u përgjigj: “Jam në të njëjtin mendim me ju, ne duhet të bëjmë më të mirën në shitjet e huaja, kryesisht për ato që janë urgjente. Nëse duhet të jem i sinqertë, kjo situatë ka të bëjë me ekzekutivin, sigurisht edhe me Kongresin. Kjo është një pikë e rëndësishme sepse nëse jemi në pozicionin për t’u bërë partnerë me këto vende, shumë vende që kanë marrëdhënie të vjetra të mbrojtjes me Rusinë do të rishqyrtojnë marrëdhëniet e tyre”.
Duke vënë në dukje se boshllëku i lënë nga SHBA-ja në fushën e bashkëpunimit të mbrojtjes me aleatët e saj “është mbushur nga Rusia”, Blinken theksoi se SHBA-ja është e gatshme të punojë më ngushtë me Kongresin për të përshpejtuar procesin e shitjes së armëve ndaj këtyre vendeve.
Në një letër dërguar Kongresit kohë më parë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ishte bërë vlerësimi se shitja e avionëve F-16 ndaj Turqisë është në përputhje me interesat e SHBA-së.
Sekretari Blinken në një fjalim javën e kaluar tha se nuk kanë dhënë vendimin përfundimtar nëse do të zbatohen apo jo sanksionet e CAATSA (Aktit Kundër Kundërshtarëve të Amerikës përmes Sanksioneve) për Indinë e cila ka blerë nga Rusia sistemin e mbrojtjes ajrore S-400./FolDrejt/