Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se, ndihma humanitare për Sirinë nuk duhet të shëndrohet në një çështje politike. Ai bëri thirrje për hapjen e më shumë vendkalimeve kufitare për të dërguar ndihma për 13.4 milionë njerëz.
Blinken, duke iu referuar Rusisë dhe aleatit të saj të ngushtë presidentit sirian Bashar Assad, tha se Këshilli i Sigurimit duhet të “ndalojë të bëjë justifikime për sulmet” ndaj spitaleve dhe pranë pikës së vetme kufitare të kalimit të autorizuar, e cila ka mbyllur rrugët për ndihmë.
Blinken kryesoi një takim virtual të Këshillit të Sigurimit, pasi Shtetet e Bashkuara mbajnë presidencën e rradhës të Këshillit.
“Le t’i japim fund pritjes, le të marrim masa, le të ndihmojmë popullin e Sirisë”, tha Blinken.
Blinken bëri thirrje për rihapjen e vendkalimeve të mbyllura në Bab al-Salam, gjithashtu në kufirin turk, dhe Al-Yarubiyah në kufirin irakian, duke thënë se përmes tyre u furnizuan 4 milionë përkatësisht 1.3 milionë sirianë.