Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Antony Blinken tha të shtunën se diskutoi mbi agresionin rus në Ukrainë gjatë më shumë se pesë orësh bisedimesh me ministrin e Jashtëm kinez, Wang Yi dhe ngriti shqetësime lidhur me përafrimin e Pekinit me Moskën.
Të dy diplomatët i përshkruan bisedimet e tyre të para që nga tetori si “të sinqerta”, me takimin që u zhvillua një ditë pasi ata morën pjesë në një mbledhje të ministrave të jashtëm të G20 në ishullin indonezian të Balit.
“E ndava përsëri me këshilltarin e shtetit se ne jemi të shqetësuar për përafrimin e PRC me Rusinë”, tha Blinken në një konferencë shtypi pas bisedimeve, duke iu referuar Republikës Popullore të Kinës.
Ai tha se nuk mendonte se Kina po sillej në një mënyrë neutrale pasi kishte mbështetur Rusinë në Kombet e Bashkuara dhe “përforconte propagandën ruse”.
Blinken tha se udhëheqësi kinez Xi Jinping e kishte bërë të qartë në një telefonatë me presidentin Vladimir Putin më 13 qershor se ai qëndronte pranë një vendimi për të krijuar një partneritet me Rusinë, shkruan CNN, përcjell rtv21.tv
Pak para fillimit të luftës në Ukrainë më 24 shkurt, Pekini dhe Moska kanë njoftuar një partneritet “pa kufij”, megjithëse zyrtarët amerikanë thanë se nuk e kanë parë Kinën t’i shmanget sanksioneve të ashpra të udhëhequra nga SHBA ndaj Rusisë ose t’i sigurojë asaj pajisje ushtarake.
Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar për pasoja, përfshirë sanksionet, nëse Kina ofron mbështetje materiale për luftën që Moska e quan një “operacion special ushtarak” për të degraduar ushtrinë ukrainase.
I pyetur për refuzimin e tij për të zhvilluar bisedime me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov në G20, Blinken tha: “Problemi është ky: ne nuk shohim asnjë shenjë që Rusia, në këtë moment në kohë, është e përgatitur të përfshihet në diplomaci kuptimplote”.
Wang shkëmbeu mendime të thella mbi “çështjen e Ukrainës” gjatë bisedimeve të së shtunës, sipas një deklarate të lëshuar nga ministria e tij, pa dhënë detaje./21Media