Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të premten (25 qershor) se për SHBA-në, status quo-ja nuk ishte një opsion për Afganistanin.
Ai tha se Uashingtoni vazhdon me planet për tërheqjen e trupave nga Afganistani deri në shtator, pavarësisht rritjes së dhunës.
Ai tha se SHBA-ja duhet të jetë më e ashpër në mbikqyrjen zbatimit të procesit të paqes nga ana e talibanëve.
Dhuna është rritur ndjeshëm në të gjithë Afganistanin që kur Shtetet e Bashkuara në muajin prill njoftuan planet për të tërhequr të gjitha trupat e tyre deri më 11 shtator.
Nga Afganistani do të tërhiqen, përmes një procesi të koordinuar, edhe forcat e NATO-s.
Ekzistojnë shqetësime se pas tërheqjes së forcave të huaja, forcat e sigurisë së Afganistanit nuk do të jenë në gjendje të mbajnë sigurinë.
Kryengritësit talibanë po luftojnë trupat qeveritare në 26 nga 34 provincat e Afganistanit, thonë zyrtarët e qeverisë.
Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.
Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkaura.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.