Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, mbërriti të mërkurën për një vizitë të paparalajmëruar në Kiev, vetëm pak orë pasi forcat ruse sulmuan sërish kryeqytetin ukrainas pas disa javësh qetësie, shkruajnë mediat ndërkombëtare, transmeton Fol Drejt.
Vizita e Blinken synon të vlerësojë suksesin e kundërofensive tre-mujore të Ukrainës dhe të demonstrojë mbështetjen e SHBA për Kievin për të shtyrë forcat e Kremlinit.
Zyrtarët e Uashingtonit thanë se do të diskutonin gjithashtu rrugët e mundshme alternative për eksportet e drithit ukrainas pas tërheqjes së Rusisë nga Iniciativa e Drithërave të Detit të Zi dhe bombardimeve të shpeshta të objekteve portuale në rajonin e Odesës, ku shumica e grurit dërgohen jashtë vendit.
Vizita e Blinken pritet të përfshijë një njoftim prej 175 deri në 200 milionë dollarë ndihmë të re ushtarake. Një tjetër paketë e madhe ndihme ushtarake pritet më vonë këtë javë.
Do të diskutohen gjithashtu çështje të tjera, si mbështetja për ekonominë e shkatërruar të Ukrainës, pas njoftimit të Blinken në qershor në Londër për 1.3 miliardë dollarë ndihmë për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës, me fokus në modernizimin e rrjetit të saj energjetik, i cili u bombardua nga Rusia dimrin e kaluar.
Udhëtimi i Blinken në Ukrainë është i katërti i tij që nga fillimi i luftës dhe zyrtarët amerikanë thanë se vendimi i Blinken për të kaluar natën në Kiev kishte për qëllim të dërgonte një sinjal simbolik të mbështetjes së SHBA për Ukrainën./FolDrejt/