Bashkimi Evropian (BE) e do Serbinë si një kandidat të sinqertë dhe partner të besueshëm, tha sot shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
“Punë e rëndësishme për BE-Ballkanin Perëndimor përpara; dua të llogarisim te Serbia si një kandidate e sinqertë dhe partnere e besueshme evropiane për parime, vlera, siguri dhe prosperitet të përbashkët”, tha Borrell në Twitter pas një telefonate me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ai shtoi se ata trajtuan gjithashtu çështjet rajonale dhe zgjedhjet e ardhshme në Bosnjë dhe Hercegovinë të planifikuara për 2 tetor.
Presidenti serb tha se ka pasur një bisedë 25-minutëshe me Borrellin dhe se kanë trajtuar integrimin evropian të Serbisë, dialogun me Prishtinën, situatën në rajon dhe vazhdimin e bisedimeve Beograd-Prishtinë për personat të zhdukur.
Serbia, e cila është pothuajse tërësisht e varur nga gazi dhe nafta ruse, është përballur me presion në rritje për neutralitetin dhe hezitimin e saj për të sanksionuar Moskën për luftën kundër Ukrainës.
Vuçiq ka zhvilluar politikë të dyanshme në muajt e fundit, nga njëra anë duke u shprehur se sanksionimi i Rusisë do t’i kushtonte shtrenjtë Beogradit, ndërsa gjithashtu ka theksuar se “Serbia është në rrugën evropiane” dhe kjo është “politika e vetme e vendit”./FolDrejt/