Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell i ka cilësuar si “stuhi e përsosur” ndikimet e luftës së Ukrainës në çmimet e energjisë dhe ushqimeve dhe ka deklaruar se një krizë financiare po afron.
Borrell ka kryesuar takimin jozyrtar të ministrave të Jashtëm të BE-së në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) në New York dhe përpara takimit ka bërë një deklaratë për gazetarët, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ai rikujtoi se në takimet e vitit të mëparshëm të asamblesë kanë biseduar për Afganistanin ndërsa këtë vit do të diskutojnë për luftën në Ukrainë dhe ndikimin e luftës.
“Lufta në Ukrainë nuk është një luftë që ndodh vetëm në Ukrainë”, deklaroi Borrell i cili shtoi më tej:
“Ukrainasit po luftojnë, po bombardohen me raketa. Ndërsa pjesa tjetër e botës ndikohet nga rritjet e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve si dhe nga mjedisi i pasigurisë në rritje dhe normat e larta të interesit. Këtë mund ta cilësojmë si një stuhi të përsosur ku çmimet e larta të energjisë dhe ushqimeve të shkaktuara nga lufta po formojnë një krizë financiare që afron”.
Borrel ka informuar se me ministrat e Jashtëm do të diskutojnë për këto çështje dhe se çfarë mund të bëjnë kundër retorikës së Rusisë e cila thekson se këto probleme janë shfaqur për shkak të sanksioneve të BE-së.
Ai theksoi se në agjendën e tyre krahas krizës mes Azerbajxhanit dhe Armenisë janë edhe problemet mes Kirgistanit dhe Taxhikistanit në Azinë e Mesme dhe se pika kryesore e agjendës janë efektet e luftës në Ukrainë./FolDrejt/