Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka bërë thirrje për një armëpushim “të gjatë” midis Izraelit dhe Hamasit.
Armëpushimi fillestar katërditor ishte një “hap i parë i rëndësishëm” drejt një “zgjidhjeje politike”, tha kryediplomati i BE-së në Forumin e 8-të Rajonal të Bashkimit për Mesdheun (UfM) në Barcelonë të Spanjës.
“Nesër përfundon pezullimi i operacioneve. Ndoshta do të zgjasë edhe disa ditë. Por ne duhet të fillojmë të mendojmë se si do të vazhdojmë procesin politik nga sot”, shtoi Borrell, raporton CNN.
Spanjolli dënoi sulmin e Hamasit ndaj Izraelit, por tha se “mënyra se si Izraeli ushtron të drejtën e tij për mbrojtje ka rëndësi” ndërsa nënvizoi “numrin shumë joproporcional të vdekjeve” dhe vuajtjet e civilëve në Gaza.