Bashkimi Evropian (BE) u ka bërë thirrje liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të “marrin përgjegjësi” dhe të zbatojnë marrëveshjen e ndërmjetësuar nga blloku evropian për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, fillimisht zhvilloi takime të ndara në Bruksel me kryeministrin kosovar, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe më pas u ul në një tryezë të përbashkët me dy liderët për të diskutuar normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Borrell në rrjetet sociale shkroi se “është koha për të filluar zbatimin serioz të marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit”.
“Ne do të shohim nëse ata janë të gatshëm të marrin përgjegjësinë”, shtoi Borrell, duke iu referuar mënyrës si të dy vendet ende nuk kanë filluar të zbatojnë marrëveshjen që Kurti dhe Vuçiq arritën në muajin mars.
Marrëveshja e ndërmjetësuar nga BE-ja, ndër të tjera, përfshin njohjen e Kosovës si shtet i pavarur nga Serbia, të cilët zyrtarët e lartë serb e përjashtuan menjëherë pas arritjes së marrëveshjes.
Në muajin maj, në Kosovën veriore u rritën tensionet pas zgjedhjeve komunale në zonat e dominuara nga serbët dhe si pasojë NATO-ja vendosi 700 trupa shtesë në misionin paqeruajtës të KFOR-it pasi në përleshje u plagosën 93 ushtarë të saj.
I nisur në vitin 2011, dialogu Prishtinë-Beograd i udhëhequr nga BE-ja synon të normalizojë marrëdhëniet midis dy fqinjëve ballkanik dhe të gjejë një zgjidhje të pranueshme reciprokisht për mosmarrëveshjet./FolDrejt/