Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, ka deklaruar se BE-ja nuk ka aftësitë që i nevojiten për mbrojtjen dhe tha se duhet të rritet kapaciteti prodhues i industrisë së mbrojtjes.
Në një fjalim në konferencën vjetore të Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes (EDA), Borrell tha se lufta në Ukrainë është një “alarm i pamëshirshëm zgjimi” për BE-në, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Kuptuam që stoqet tona ushtarake mbaruan shpejt për shkak se për vite me radhë kemi kryer investime në nivel të pamjaftueshëm për mbrojtjen. Ndihmat që kemi siguruar për Ukrainën, shkaktuan që stoqet tona të mbarojnë me shpejtësi. Kuptuam gjithashtu që nuk kemi aftësitë kritike për mbrojtje. Nuk kemi aftësitë që nevojitet për mbrojtjen tonë”, deklaroi Borrell.
Përfaqësuesi i BE-së, bëri të ditur se vendet anëtare të BE-së janë të gatshëm të financojnë rritjen në prodhimin e armëve dhe municioneve për të rinovuar stoqet e tyre.
“Tashmë po hyjmë në një fazë të re. Po kontaktojmë me industrinë e mbrojtjes dhe nga kompanitë po kërkojmë informacion rreth kapaciteteve të tyre prodhuese. Muaj më parë kemi bërë të njëjtën gjë edhe me vaksinat. Tani po pyesim për kapacitetin e industrisë. Po pyesim sektorin e mbrojtjes se sa mund të prodhojnë. Sepse duhet të ndihmojmë në rritjen e kapaciteteve të prodhimit të industrisë së mbrojtjes”, shtoi Borrell.
Në raportin e EDA-s, u theksua se shpenzimet e mbrojtjes së vendeve të BE-së tejkaluan 200 miliardë euro për herë të parë në vitin 2021, se shpenzimet e vendeve anëtare për blerje të përbashkëta u rritën gjithashtu, por se sërish kanë mbetur shumë poshtë objektivit./FolDrejt/