Autoritetet në Prishtinë duhet të ndalojnë veprimet e policisë speciale rreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës dhe protestat e dhunshme duhet të ndalojnë, tha në Bruksel përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, duke shtuar se po punon për organizimin e një dialogu urgjent ndërmjet liderëve të Serbisë dhe Kosovës.
“BE-ja dënon ashpër dhunën në veri të Kosovës që kemi parë ditët e fundit. Veprimet e dhunshme ndaj qytetarëve, mediave, autoriteteve të zbatimit të ligjit dhe trupave të KFOR-it janë absolutisht të papranueshme dhe çojnë në një situatë shumë të rrezikshme. BE-ja qëndron fuqishëm prapa misionit të NATO-s KFOR në përmbushjen e mandatit të saj në interes të paqes dhe stabilitetit në Kosovë”, tha Borrell.
Ai shtoi se po punon për organizimin e një dialogu urgjent ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në nivel të lartë me mbështetjen e përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak, me qëllim që të ndalet menjëherë përshkallëzimi dhe dhuna.
“Duhet të shmanget çdo veprim i mëtejshëm i njëanshëm dhe të vendoset paqja. Si hap i parë, pres që autoritetet e Kosovës të pezullojnë operacionet policore të fokusuara në ndërtesat komunale në veri të Kosovës dhe që protestuesit e dhunshëm të tërhiqen. Unë do të vazhdoj të bashkëpunoj me dy liderët”, tha ai.
Borrell tha se ka biseduar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq të hënën në mbrëmje dhe me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti këtë mëngjes, kur ai u kërkoi atyre që “të marrin urgjentisht masat për të ulur tensionet menjëherë dhe pa kushte”.
“BE pret që palët të sillen me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në dialogun e udhëhequr nga BE-ja për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës që garanton siguri për të gjithë qytetarët dhe hap rrugën për zbatimin e Marrëveshjes së re për rrugën drejt normalizimit”, tha ai.
Ai shtoi se Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i EEAS-it për Paqe, Siguri dhe Mbrojtje, Charles Frize, ndodhet në Kosovë sepse i ka kërkuar që të jetë atje së bashku me misionin e BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, për të raportuar personalisht për situatën në terren. /FolDrejt/