Shefi për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në samitin G7 që po mbahet në Munster të Gjermanisë, ka bërë me dije se kanë pranuar përgjigje nga Kosova dhe nga Serbia në lidhje me propozimin franko-gjerman.
“Kemi pranuar përgjigje nga të dyja palët. Jemi duke i studiuar ato”, ka thënë Borrell.
Tutje ai ka falenderuar Gjermaninë dhe Francën për propozimin e dhënë, duke e konsideruar këtë propozim si një rast të mirë për t’i normalizuar marrëdhëniet mes Prishtinës e Beogradit.
“Jam shumë mirënjohës për mbështetjen e Gjermanisë dhe Francës për këtë propozim. Mendoj se ky është një rast i mirë që duhet shfrytëzuar për t’i bërë marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit, le të themi, më normale, sepse në mënyrë që të dyja të përparojnë në rrugën e tyre evropiane, ky normalizim i marrëdhënieve është shumë i rëndësishëm”, ka shtuar tutje Borrell./FolDrejt/