Gjykata e lartë e Bosnjës ka paditur tetë ish-ushtarë serbë për krime kundër njerëzimit të cilët dyshohen për vrasjen e të paktën 78 civilëve myslimanë boshnjakë, në fillim të luftës në Bosnje të viteve 1990.
Të pandehurit akuzohen për përndjekjen e popullsisë civile boshnjake, bazuar në përkatësinë kombëtare, etnike dhe fetare me qëllim diskriminues, si dhe për vrasjen e civilëve në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.
Sipas prokurorëve, tetë serbët e Bosnjës, ish-ushtarë, kishin përzënë civilët boshnjakë nga një shkollë në fshatin perëndimor të Velagici, i kishin rreshtuar dhe më pas i kishin vrarë të paktën 78 persona, në qershor 1992.
Trupat e viktimave janë transportuar me kamionë dhe janë varrosur në një varrezë masive, nga e cila ishin nxjerrë në vitin 1996.
Një çerek shekulli pasi marrëveshjet e paqes së Dayton-it të sponsorizuara nga SHBA, i dhanë fund luftës midis serbëve të Bosnjës, kroatëve dhe boshnjakëve ku u vranë rreth 100 mijë njerëz, Sarajeva është ende duke kërkuar kriminelë të dyshuar të luftës.
Lufta e Bosnjës e zhvilluar mes viteve 1992-1995, ishte karakterizuar nga persekutimi dhe vrasja e kroatëve e boshnjakëve në territoret që serbët e Bosnjës kishin shënjestruar për shtetin e tyre, raporton usnews.com.