Lufta e Ukrainës ka krijuar rrezikun që bota mund të shkojë drejt krizës së ushqimeve që mund të prekë miliona njerëz në mbarë botën.
Rritja e çmimeve të gazit kanë detyruar kompanitë të kufizojnë prodhimin e amoniakut dhe uresë në Evropë në 45% të kapacitetit të tyre. Me më pak nga këta dy përbërës thelbësorë bujqësorë, priten efekte të dëmshme për furnizimet globale të ushqimit.
Dy javë pasi Rusia pushtoi Ukrainën, çmimet e produkteve kryesore bujqësore të prodhuara në rajon janë ngritur në qiell. Problemi më i madh është gruri, ku furnizimet nga Rusia dhe Ukraina, përbëjnë pothuajse 30% të tregtisë globale, transmeton Fol Drejt.
Çmimet në rang global për grurin arritën nivelin më të lartë të të gjitha kohërave në fillim të kësaj jave. Një problem tjetër madhor është edhe plehu, i cili mbetet i domosdoshëm për fermerët për të korrat, për prodhimin.
Eksportet nga Rusia po ndalen. Prodhimi në Evropë është ulur gjithashtu si pasojë e rritjes së çmimit të gazit natyror, një përbërës kyç në plehrat me bazë azoti si ureja.
Sipas ekspertëve globalë po bie kambana e alarmit, ku kostoja e misrit, sojës dhe vajrave vegjetale ka ardhur gjithnjë e në rritje.
Ministrat e Bujqësisë nga vendet e G7 thanë këtë fundjavë se është e nevojshme që të parandalohet dhe i duhet përgjigjur si duhet një krize ushqimore. Por nga frika e mungesës, vendet tashmë po shikojnë gjendjen e tyre. Egjipti sapo ndaloi eksportin e grurit, miellit, thjerrëzave dhe fasuleve mes shqetësimeve në rritje për rezervat ushqimore në shtetin më të populluar të botës arabe, transmeton CNN.
Indonezia ka forcuar gjithashtu kufizimet e eksportit për vajin e palmës, i cili është një komponent në vajin e gatimit, si dhe në kozmetikë dhe disa mallra të paketuara si çokollata. Ministrat e G7 u bënë thirrje vendeve që “të mbajnë të hapur tregjet e tyre ushqimore dhe bujqësore dhe të ruhen nga çdo masë kufizuese e pajustifikuar mbi eksportet e tyre. Çdo rritje e mëtejshme në nivelet e çmimeve të ushqimit dhe paqëndrueshmëria në tregjet ndërkombëtare mund të kërcënojë sigurinë ushqimore dhe ushqimin në shkallë globale, veçanërisht në mesin e më të rrezikuarve që jetojnë në mjedise me siguri të ulët ushqimore”, thanë ata në një deklaratë.
Vendet perëndimore me më shumë akses në bujqësi pritet të dëmtohen gjithashtu. Konsumatorët atje tashmë janë goditur nga çmimet e larta dhe situata pritet të përkeqësohet më tej./FolDrejt/