Banka Qendrore Evropiane (BQE) mbajti dje të pandryshuara normat bazë të interesit, pavarësisht rritjes së çmimeve të mallrave dhe inflacionit të lartë rekord.
Norma bazë e rifinancimit të bankës qëndron në 0 për qind, ndërkohë që norma e kredisë marxhinale mbeti e pandryshuar në 0.25 për qind, kurse norma e kredisë së saj të depozitave u mbajt në minus 0.5 për qind, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Agresioni rus në Ukrainë po shkakton vuajtje të mëdha. Ai po ndikon gjithashtu ekonomi, në Evropë dhe më gjerë. Konflikti dhe pasiguria që lidhen me të po rëndojnë shumë mbi besimin e bizneseve dhe konsumatorëve”, thuhet në deklaratën e BQE-së.
“Problemet e tregtisë po çojnë në mungesa të reja materialesh dhe kapacitetesh. Rritja e çmimeve të energjisë dhe mallrave po redukton kërkesën dhe po pengon prodhimin”, thuhet në deklaratë.
Inflacioni vjetor i Eurozonës arriti në 7.5 për qind në mars, nga 5.9 për qind në shkurt, sipas zyrës statistikore të BE-së, Eurostat.
Ndërsa energjia ka fitimin më të lartë në muajin mars me një rritje vjetore prej 44.7 për qind, ajo pasohet nga ushqimet e papërpunuara me një fitim prej 7.8 për qind, sipas vlerësimeve të Eurostat.
“Zhvillimi i ekonomisë do të varet në mënyrë thelbësore nga mënyra se si evoluon konflikti, nga ndikimi i sanksioneve aktuale dhe nga masat e mundshme të mëtejshme. Në të njëjtën kohë, aktiviteti ekonomik ende po mbështetet nga rihapja e ekonomisë pas fazës së krizës së pandemisë”, tha BQE.
Banka vuri në dukje se inflacioni është rritur ndjeshëm dhe do të mbetet i lartë gjatë muajve në vijim, kryesisht për shkak të rritjes së ndjeshme të kostove të energjisë.
BQE tha se pret që blerjet neto të aktiveve në kuadër të programit të saj të blerjes së aktiveve (APP) duhet të përfundojnë në tremujorin e tretë./FolDrejt/