Banka Qendrore Europiane bëri të ditur se programi i blerjes së titujve të borxhit prej 2.6 trilionë euro, ka qenë i suksesshëm. Institucioni deklaroi se kjo masë ka lehtësuar kushtet financiare në Eurozonë dhe ka kontribuar në arritjen e stabilitetit të çmimeve. Blerjet e aktiveve prej 2.6 trilionë euro në 4 vite, ka inkurajuar bankat që të zgjerojnë kreditin ndaj bizneseve dhe ekonomive familjare.
Banka Qendrore Europiane theksoi se në tremujorin e tretë të vitit të kaluar, thuajse gjysma e kredive të reja ndaj kompanive jo financiare, ishin rezultat i programit të vetë institucionit. Problemi që po përballen politikëbërësit të Bankës Qendrore Europiane dhe bankave të tjera në ekonomitë e zhvilluara është rimëkëmbja e ngadaltë ekonomike dhe e kreditit, që ka dështuar të rrisë presionet në çmime. Politikëbërësit kanë ulur projeksionet për inflacionin së fundmi. Megjithatë, raporti i Bankës Qendrore Europiane thekson se projeksioni për inflacionin është stabilizuar, duke u bërë më pak i varur nga stimujt monetarë. Kjo justifikon ndalimin e programit të blerjes së aktiveve.
Të dhënat e dobëta në fillim të këtij viti kanë bërë që ekonomistët të dyshojnë arritjen e mandatit të Bankës Qendrore Europiane për inflacionin në 2%. Vetë institucioni ka pranuar presionet e dobëta në çmime dhe gjatë muajit lajmëroi një raund të ri të kredive afat-gjata për bankat, ndërkohë që premtoi edhe mbajtjen e normave të interesit në nivele rekord të ulëta përgjatë vitit.