Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), ka njoftuar se llogaritë bankare e-banking, përmes të cilave shërbimet bankare kryhen ‘online’, kanë vazhduar të rriten.
“Në dhjetor 2017 numri i gjithsej llogarive E-banking ishte 301.8 mijë, duke shënuar rritje vjetore prej 30.7 përqind. Po ashtu, numri dhe vëllimi i transaksioneve përmes shërbimit E-banking është rritur. Numri i gjithsej transaksioneve të realizuara përmes llogarive E-banking gjatë vitit 2017 arriti në 3.4 milionë, një rritje vjetore prej 16.9 përqind, ndërsa vlera e gjithsej transaksioneve të realizuara përmes llogarive E-banking arriti në 8.5 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 26.6 përqind”, thuhet në raportin e BQK-së.
Sipas BQK-së, struktura e llogarive E-banking vazhdon të dominohet nga llogaritë rezidente me një pjesëmarrje prej 98.2 përqind, raporton RTKlive.
“Në kuadër të llogarive të rezidentëve, llogaritë individuale bankare përbëjnë 82.5 përqind të gjithsej llogarive përderisa pjesa e mbetur prej 17.5 përqind nga llogaritë afariste. Ngjashëm, struktura e llogarive të jo-rezidentëve dominohet nga llogaritë individuale me pjesëmarrje prej 91.8 përqind, përderisa llogaritë afariste kanë një pjesëmarrje prej 8.2 përqind’, thuhet në raportin e BQK-së.