Brazili, Meksika dhe Argjentina në Asamblenë e Përgjithshme të 52-të të Organizatës së Shteteve Amerikane (OAS), nuk iu bashkuan deklaratës që dënon sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës.
Brazili, Meksika dhe Argjentina të cilat janë vendet kryesore të Amerikës Latine nuk u përfshinë në deklaratën që u lexua në Asamblenë e Përgjithshme të 52-të të Organizatës së Shteteve Amerikane të mbajtur në kryeqytetin e Perusë, Lima, dhe në të cilën kërkohet që t‘u jepet fund sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ministri i jashtëm i Guatemalës, Mario Bucaro, lexoi një deklaratë të emërtuar “Mbështetje e vazhdueshme për t‘i dhënë fund agresivitetit të Rusisë në Ukrainë” në të cilën dënohen sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës dhe në të cilën kërkohet që qeveria ruse t‘i japë fund sulmeve dhe të tërheqë ushtarët e saj nga Ukraina dhe t‘i kthehet dialogut dhe diplomacisë.
“Me termat më të fortë, nga Federata Ruse kërkohet që të zbatojë përgjegjësitë e saj për të drejtat ndërkombëtare të njeriut dhe ligjit humanitar si dhe të ndalë menjëherë të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut në Ukrainë”, thuhet në deklaratë.
Teksa deklaratën e kanë mbështetur 24 vende përfshirë SHBA-në, Kanadanë, Kilin dhe Kolumbinë, theksohet se Brazili, Meksika dhe Argjentina nuk u përfshinë në mesin e vendeve që mbështetën deklaratën.
Edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme nënvizoi rëndësinë për të qëndruar pranë Ukrainës kundër Rusisë./FolDrejt/