Brazili ende e dëshiron Carlo Ancelottin për trajner të ri, ku presidenti i Konfederatës Braziliane të Futbollit (CBF) Ednaldo Rodrigues, ka thënë se ai do të përdorë miqësoret e ekipit kombëtar në Evropë për të biseduar me trajnerin e Real Madridit. Rodrigues tha se do t’i drejtohej edhe presidentit të klubit spanjoll, Florentino Perez.
Ai gjithashtu theksoi se Ancelotti është zgjedhja e tyre e parë për të zëvendësuar Tite, i cili u largua nga skuadra braziliane pasi u eliminua në çerekfinale në Kupën e Botës në Katar në nëntor. Brazili do të luajë me Guinenë në Spanjë më 17 qershor dhe Senegalin në Lisbonë të Portugalisë më 20 qershor.
“Ai mbetet plani A dhe me këtë udhëtim në Evropë mund të kemi një pamje më të qartë. Udhëtimi do të jetë shumë i rëndësishëm për ne. Kam ndërmend të flas me Ancelottin dhe presidentin e Real Madridit. Vetëm atëherë do të jetë e mundur të thuhet nëse do të ndodhë apo jo,” tha Rodrigues të martën në konferencën për shtyp në selinë e CBF në Rio de Zhaneiro.
Në anën tjetër trajneri italian ka kontratë me Real Madridin deri në vitin 2024, me një dënim për ndërprerje. Sipas Rodrigues, kjo nuk duhet të pengojë asnjë marrëveshje të mundshme me Brazilin, sepse siç pretendon ai, “dënimi nuk është problemi, problemi është kontrata që askush nuk dëshiron ta prishë”. Ancelotti hodhi poshtë interesimin e Brazilit në maj, duke thënë se ai do të qëndronte edhe vitin e fundit të kontratës së tij me Real Madridin.
Kombëtarja braziliane është pa trajner që kur u largua nga Botërori dhe humbi ndeshjen e parë miqësore të vitit, ndaj Marokut 1:2 në mars. Kombëtarja drejtohet momentalisht nga trajneri i U-20, Ramon Menezes, i cili do të jetë në pankinën e Brazilit për ndeshjet miqësore këtë muaj, transmeton Fol Drejt.