Brazili i ka dërguar zyrtarisht një notë proteste ambasadorit spanjoll dhe ka njoftuar se do të bëjë një ankesë zyrtare pranë autoriteteve në Madrid për shkak të abuzimit të ri racist të drejtuar ndaj futbollistit brazilian Vinicius Junior.
Vinicius ishte në shënjestër të racistëve gjatë ndeshjes së Realit kundër Valencias të dielën. Qeveria braziliane njoftoi se ministrja e Barazisë Racore, Anielle Franco do të paraqesë një ankesë zyrtare tek autoritetet spanjolle dhe La Liga.
Ndërkohë, një burim nga Ministria e Punëve të Jashtme i tha AFP se qeveria kishte protestuar ndaj ambasadorit spanjoll në Brazil.
“Ambasadori spanjoll është larg nga Brasilia, por ne kemi qenë tashmë në kontakt me të me telefon për të shprehur pakënaqësinë e qeverisë braziliane për sulmet e përsëritura raciste ndaj Vinicius dhe nevojën për një përgjigje adekuate”, tha burimi.
Kujtojmë se ndeshja e së dielës në Valencia u ndërpre pak minuta pasi Vinicius, i cili ka qenë vazhdimisht në shënjestër të abuzimeve racore në Spanjë, u keqtrajtua sërish nga tribuna.
Arbitri shkroi në raportin e tij pas ndeshjes se britmat “majmun” i drejtoheshin lojtarit.
Presidenti i Brazilit Luiz Inacio Lula da Silva dënoi sjelljen raciste, e cila tërhoqi një mbështetje të madhe për Vinicius, duke përfshirë futbollistët brazilianë Neymar dhe Richarlison dhe futbollistin në pension Ronaldo, transmeton Fol Drejt.