Rrugët në Kosovë, janë shndërruar në arena vdekjeprurëse. Numri i lartë i aksidenteve, veçmas në sezonin e dimrit, po vijon të konsiderohet shqetësues, transmeton Fol Drejt.
Vetëm në orët e fundit, sipas raportit të policisë, janë shkaktuar dhjetëra aksidente me dëme materiale.
Më saktësisht, 52 aksidente, brenda 24 orëve.
Rasti më i rëndë ishte ai i cili ndodhi në fshatin Shupkovc të Mitrovicës, ku u përfshinë dy vetura.
“Fsh. Shupkovc, Mitrovicë Jugu, 17.01.2022-06:45. Është raportuar se ka ndodhë aksident trafiku me lëndime në të cilin kanë qenë të përfshira dy automjete. Si pasoj e aksidentit përveç dëmeve materiale lëndime trupore kanë pësuar njëri drejtues i automjetit dhe tre pasagjerë. Të lënduarit janë dërguar në spitalin rajonal në Mitrovicë Jug për ndihmë mjekësore” – thuhet ndër të tjera në raport.
Për më shumë, bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të policisë dhe janë duke e hetuar rastin.
Polica në vijimësi ka bërë apel që shoferët të kenë kujdes, të mos dalin në trafik me automjete që nuk janë të pajisura me goma, zinxhirë e mjete të tjera të nevojshme për këtë stinë dhe, sidomos, ta përshtatin shpejtësinë, ashtu siç sugjerohet me rregullat e trafikut./FolDrejt/