Kryeministri britanik Rishi Sunak ftoi liderët e sindikatave për bisedime brenda javës së ardhshme, në kohën kur në mbarë vendin po vazhdojnë grevat.
Duke folur për gazetarët gjatë një vizite në një shkollë në Londër, Sunak tha se ulja e kostos së jetesës është “prioriteti ekonomik më urgjent” për qeverinë e tij, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
“Qeveria u ka shkruar, të gjitha departamentet u kanë shkruar të gjitha sindikatave të tyre duke i ftuar për bisedime të hënën, në mënyrë që ne të mund t’i bëjmë ato biseda duke folur për atë që është e përballueshme, çfarë është e arsyeshme, çfarë është përgjegjëse për vendin tonë”, tha Sunak.
Vërejtjet e kryeministrit erdhën në një kohë kur mijëra punonjës të hekurudhave vazhduan grevën e tyre pas mosmarrëveshjes për pagat.
“Ne mendojmë se këto biseda duhet të ndodhin. Kjo është arsyeja pse ne i kemi ftuar të gjithë që të zhvillohen këto bisedime të hënën dhe shpresoj se ato bisedime do të mund të jenë konstruktive”, shtoi Sunak.
Dje u njoftua se qeveria britanike do të prezantojë një ligj të ri kundër grevës, ndërsa vendi po përballet me një valë veprimesh industriale, duke përfshirë infermierët, punonjësit e postës dhe pedagogët universitarë, në kohën e krizës së thellë të rritjes së kostos së jetesës të shkaktuar nga rritja e inflacionit.
Rreth 40 mijë anëtarë të sindikatës Hekurudhore, Detare dhe të Transportit (RMT) në Rrjetin Hekurudhor dhe 14 operatorë trenash mbajtën një grevë dyditore të martën dhe të mërkurën.
Pas një pauze të enjten, sindikata sot rifilloi një grevë tjetër dyditore./FolDrejt/