Britania do të rrisë me 80% çmimin e energjisë nga tetori, sipas rregullatorit të Mbretërisë së Bashkuar, Ofgem, shkruan Reuters.
Bazuar në trendin aktual, Ofgem paralajmëroi se “çmimet mund të përkeqësohen ndjeshëm gjatë vitit 2023” dhe i bëri thirrje qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të sigurojë mbështetje urgjente në mes të një krize të kostos së jetesës.
Kufiri do të shkojë nga 1,971 paund në vit për një familje mesatare në 3,549 paund nga tetori.
“Kjo pasqyron rritjen e vazhdueshme të çmimeve globale të gazit me shumicë, e cila filloi me heqjen e bllokimeve pas pandemisë COVID-19 dhe u rrit në nivele rekord kur Rusia ndërpreu furnizimet me gaz në Europë,” argumenton Ofgem.
Duke qenë se ky kufi është llogaritur bazuar në çmimin mesatar të shitjes me shumicë të gazit natyror në muajt e mëparshëm, ekspertët presin që ai të rritet në mbi 4,000 paund në janar dhe deri në 6,000 paund në pranverë, sipas parashikimeve më pesimiste, që pritet të nxisë inflacioni i cili tashmë është mbi 10% me bazë vjetore në Britani.
“Ne jemi të vetëdijshëm për ndikimin masiv që do të ketë kjo rritje në kufirin e çmimit tek familjet në të gjithë Britaninë dhe vendimet e vështira që konsumatorët do të duhet të marrin,” tha drejtori i përgjithshëm i Ofgem, Jonathan Brearley.
Ministri i Ekonomisë dhe Financave Nadeem Zahawi gjithashtu pranoi se “njoftimet për kufirin e çmimit të energjisë do të shkaktojnë stres dhe ankth për shumë njerëz, por ndihma po vjen me 400 paund ulje në faturat e energjisë për të gjithë, 650 paund për familjet e cenushme dhe 300 paund për pensionistët”.
Kryeministri i ri i Britanisë duhet të veprojë urgjentisht për të trajtuar çështjen e rritjes së çmimeve të energjisë, vuri në dukje gjithashtu drejtori i përgjithshëm i Ofgem, duke paralajmëruar se çmimet duket se do të rriten më tej./abcnews.al/