Ukraina do të marrë avionë luftarakë modernë si “Eurofighter Typhoon” vetëm pas përfundimit të konfliktit në këtë vend, tha ministri britanik i Mbrojtjes Ben Wallace.
Wallace i tha të përjavshmes gjermane “Spiegel” se ai nuk duhet të presë një dorëzim të shpejtë të avionëve luftarakë, të paktën jo në këtë fazë dhe “pothuajse me siguri” jo në gjashtë muajt e ardhshëm, përcjell Fol Drejt.
“Do të kalojë shumë kohë përpara se ndonjë vend të dërgojë avionë luftarakë në Ukrainë”, pranoi zyrtari britanik.
Ai theksoi se ekziston një konsensus midis partnerëve perëndimorë se pajisjet moderne luftarake mund të dorëzohen në Ukrainë vetëm pas përfundimit të konfliktit.
“Eurofighter Typhoon” është një avion luftarak evropian i gjeneratës së katërt, me shumë role që është vepër e një konsorciumi kompanish nga Britania, Gjermania, Spanja dhe Italia.
U vu në përdorim në vitin 2003./FolDrejt/