Sekretarja e brendshme britanike, Suella Braverman dhe homologu i saj francez, Gerald Darmanin, kanë premtuar të luftojnë me trafikantët e qenieve njerëzore në kanalin ‘La Manche’.
Sipas lajmeve në mediat lokale, Braverman dhe Darmanin kanë folur në një konferencë të përbashkët për media pasi katër persona humbën jetën si pasojë e përmbysjes së një gomoneje me emigrantë në ‘La Manche’, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Braverman dhe Darmanin, incidentin e cilësuan si “kujtues i mprehtë i nevojës urgjente për të eliminuar funksionalitetin e trafikantëve të qenieve njerëzore”.
“Këtë vit kemi penguar mbi 30 mijë kalime dhe bashkë me partnerët tanë evropianë përfshirë edhe Agjencinë e Policisë Evropiane (Europol) kemi kryer mbi 500 arrestime që nga viti 2020”, thuhet në deklaratë.
Theksohet se për luftimin e emigracionit të paligjshëm Braverman dhe Darmanin kanë rënë dakord për një kornizë dypalëshe të rinovuar që përfshin bashkëpunim më të ngushtë dhe shkëmbim informacioni.
Pasi thuhet se më 8 dhjetor në Bruksel u mbajt një takim për intensifikimin e bashkëpunimit mes Gjermanisë, Belgjikës, Francës, Britanisë dhe Holandës, në deklaratë vihet theksi se “Ngjarja tragjike nënvizon rëndësinë e përparimit të kësaj së bashku”.
Nga përmbysja e gomones me emigrantë dje në ‘La Manche’ u njoftua se humbën jetën katër persona dhe u shpëtuan 43 të tjerë të cilët u evakuuan në Britani.
Sipas të dhënave zyrtare, këtë vit në ‘La Manche’ kanë kaluar mbi 40 mijë emigrantë të parregullt me gomone të vogla./FolDrejt/