Britania e Madhe ka njoftuar se do të ndërmarrë hapa për të siguruar furnizimin me karburant jetik për termocentralet bërthamore të Ukrainës, duke ofruar garanci për një kredi të planifikuar prej 192 milionë funtash (224.5 milionë euro), shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Mbështetja synon të ndihmojë Ukrainën të plotësojë nevojat e saj për energji gjatë dimrit dhe të zvogëlojë varësinë nga furnizimet ruse”, thuhet në njoftimin e qeverisë britanike.
Gjatë një vizite në Ukrainë, sekretari britanik i Sigurisë së Energjisë, Grant Shapps, vizitoi një termocentral që po riparohej pas dëmtimeve të marra nga bombardimet ruse.
Plani i qeverisë synon ta bëjë më të lehtë për kompaninë ‘Urenco’, me bazë në Britani të Madhe, të ofrojë shërbime bazë të pasurimit të uraniumit në Ukrainë, një komponent kritik i prodhimit të karburantit bërthamor.
“Urenco, e njohur për shërbimet e saj të pasurimit bërthamor, ka qenë furnizues i Energoatom dhe Ukrainës që nga viti 2009”, thuhet në njoftim.
Shapps tha se mbështetja e Britanisë për Ukrainën është “e palëkundur përballë pushtimit barbar të presidentit rus, Vladimir Putin”.
“Putin ka përdorur energjinë si armë lufte. Veprimi i sotëm për të mbështetur furnizimet me karburant bërthamor do të ndihmojë Ukrainën t’i japë fund varësisë së saj nga furnizimet ruse dhe të forcojë sigurinë e saj energjetike”, tha Shapps.
Ukraina mbështetet në energjinë bërthamore për më shumë se gjysmën e energjisë elektrike të saj, kurse Rusia aktualisht kontrollon termocentralin më të madh bërthamor të Ukrainës në Zaporizhzhia.
Me këtë vendim, ndihma totale jo-ushtarake e Britanisë së Madhe për Ukrainën do të arrijë në rreth pesë miliardë funta.