Britania e Madhe ka bërë një tjetër hap drejt rifillimit të jetës normale të hënën pasi kafenetë dhe restorantet u lejuan të rihapeshin pjesërisht, në një lehtësim të madh të kufizimeve, të vendosura për shkak të koronavirusit.
Kafenetë dhe restorantet angleze tani mund të shërbejnë pije dhe darka jashtë, pavarësisht parashikimeve të temperaturave të dimrit, duke sjellë ca gëzim në industrinë e mikpritjes së goditur rëndë pas mbylljeve të përsëritura.
Gjithashtu, në këtë fazë pritet të hapen berberët dhe parukierët, pas më shumë se tre muaj pasi u vendos urdhri i fundit i qëndrimit në shtëpi.
Palestrave të mbyllura, pishinave, bibliotekave dhe kopshteve zoologjike gjithashtu u është dhënë e drejta për të hapur dyert e tyre, ashtu siç edhe është lejuar zhvillimi i ngjarjeve festive brenda hoteleve.
Ndërkohë xhamitë po përgatiten për fillimin e Ramazanit këtë javë, një vit pasi muaji i shenjtë mysliman u zhvillua pa mbledhje tradicionale të komunitetit.
Rifillimi i lutjeve të Ramazanit, edhe pse me disa masa distancuese sociale, mund t’u japë adhuruesve “një optimizëm të përtërirë”, tha sekretari i përgjithshëm i Këshillit Mysliman të Britanisë, Zara Mohammed.