Britania hoqi shumë nga kufizimet e saj të hënën, ndërsa shkalla e infeksioneve ka rënë në nivelin më të ulët që nga gushti i vitit të kaluar. Por megjithatë, ende ekzistojnë shqetësime mbi përhapjen e një mutacioni të ri të virusit që u zbulua fillimisht në Indi.
Turistët e parë britanikë, kanë mbërritur tashmë në Lisbonë të Portugalisë. Ata përfituan nga lehtësimi i kufizimeve të hënën . Matthew Bolden është turist anglez në Portugali.
“Është ndjesi e pabesueshme. Mes njerëzve në plazh, nën rrezet e diellit dhe baret e hapura.”
“Është më mirë se në Anglinë me shi”, thotë një tjetër turist britanik.
Një dyzinë vendesh janë në listën që Britania lejon udhëtimin. Udhëtarët nga vende të tjera, nga pothuajse pjesa më e madhe e Evropës dhe Shtetet e Bashkuara, ende përballen me karantinë të detyrueshme pas mbërritjes në Britani.
Në Britani të hënën hapen dyert për herë të parë këtë vit pabet, restorantet, galeritë e artit dhe teatrot. Në Londër, distrikti i argëtimit “West End” e festoi hapjen të hënën. Simon Thomas, shef ekzekutiv i kazinosë londineze Hippodrome, dha sinjalin e hapjes.
Por jo të gjithë janë entuziastë për ndryshimet. Adam Garret është banor i Londrës.
“Ka të ngjarë që shumica e njerëzve që do të shkojnë nëpër pabe të jenë të pavaksinuar. Duket e rrezikshme.”
Aktorja Gillian Elisa Thoms pajtohet me mendimin.
“Nuk do të më habiste një mbyllje tjetër.”
Shqetësimet e kanë zanafillën tek një mutacion i koronavirusit që ka çuar në rritjen e rasteve në Indi.