Vendimi, i cili “hyn në fuqi menjëherë” erdh mes 29 hetimeve në vazhdim nga rregullatori i transmetimit në Britani të Madhe, Ofcom.
Rregullatori britanik i transmetimit Ofcom njoftoi sot se i ka hequr licencën kanalit rus të lajmeve RT për të transmetuar në Britani të Madhe “me efekt të menjëhershëm”, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Ne e bëmë këtë në bazë të faktit se nuk e konsiderojmë se pronari i licencës RT dhe ANO TV Novosti, nuk janë të aftë dhe të përshtatshëm për të mbajtur një licencë transmetimi në Britani të Madhe”, thuhet në deklaratën e trupit mbikëqyrës.
“Vendimi i sotëm vjen mes 29 hetimeve në vazhdim nga Ofcom për paanshmërinë e duhur të lajmeve të RT dhe mbulimit aktual të pushtimit rus të Ukrainës”, shtoi ai.
Ofcom tha se e konsideruan “vëllimin dhe natyrën potencialisht serioze të çështjeve të ngritura brenda një periudhe kaq të shkurtër si një shqetësim të madh, veçanërisht duke pasur parasysh historinë e pajtueshmërisë së RT”.
Deklarata shton se janë nisur hetime të ndara “për të përcaktuar nëse ANO TV Novosti është i përshtatshëm për të pasur licencë për transmetim”.
Rregullatori tha se: “Ky hetim ka marrë parasysh një sërë faktorësh, përfshirë marrëdhëniet e RT me Federatën Ruse.
“Ajo ka pranuar se RT financohet nga shteti rus, i cili së fundmi ka pushtuar një vend sovran fqinj”, tha ai, duke iu referuar luftës së Rusisë kundër Ukrainës, e cila tani ka hyrë në javën e saj të katërt.
“Ne vërejmë gjithashtu ligje të reja në Rusi që kriminalizojnë në mënyrë efektive çdo gazetari të pavarur që largohet nga narrativa e lajmeve të shtetit rus, veçanërisht në lidhje me pushtimin e Ukrainës. Konsiderojmë se duke pasur parasysh këto kufizime duket e pamundur që RT të respektojë detyrimet dhe rregullat e paanshmërisë së Kodit tonë të Transmetimit në këto rrethana”.
RT, i njohur si Russia Today, nuk është transmetuar në Britani të Madhe për shkak të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë “si rezultat i sanksioneve të vendosura nga BE që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës”.
Megjithatë, Ofcom tha se “kanë arritur në përfundimin se nuk mund të jemi të kënaqur që RT mund të jetë një transmetues përgjegjës në rrethanat aktuale. Prandaj Ofcom i ka hequr licencën RT për transmetim i cili hyn në fuqi menjëherë”.
RT ishte gjobitur më parë për shkelje të paanësisë me 200 mijë funta (263 mijë dollarë)./FolDrejt/