Britania regjistron më së paku viktima të virusit që nga 30 marsi
Mbretëria e Bashkuar i ka shënuar 350 viktima të koronavirusit gjatë 24 orëve të kaluara. Kjo është shifra më e ulët ditore që nga data 30 mars.
Në Angli u shënuan 329 vdekje të reja, në Skoci 13 dhe në Uells tetë. Irlanda Veriore ende nuk i ka raportuar të dhënat për 24-orëshin e fundit.
Ndonëse statistikat zakonisht janë me shifra më të ulëta pas fundjavës, rënia e madhe dëshmon se kulmi i përhapjes ka kaluar. Më 8 prill, në Britani ishin shënuar 980 të vdekur për një ditë.
Shifra e publikuar sot është gjithashtu 22 për qind më e ulët se numri i të vdekurve që u shënua të hënën e kaluar dhe mbi 50 për qind më e ulët se 717 viktimat e regjistruara dy javë më parë.
Pas rasteve të reja, numri i përgjithshëm i të vdekurve nga koronavirusi në Britaninë e Madhe shkoi në 20,753 persona, shkruan “Daily Mail”.
Kryeministri britanik, i cili sot foli para gazetarëve te porta e ndërtesës qeveritare, tha se vendi është afër fundit të fazës së parë të Covid-19, por është ende herët të largohen masat kufizuese për shkak të rrezikut nga rritja e përhapjes.