Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, në Britaninë e Madhe kanë vdekur 708 persona nga koronavirusi. Numri i infektimeve të reja për këtë periudhë ishte 3735.
Kështu, shifra e përgjithshme e viktimave në këtë shtet shkoi në 4313, ndërsa numri i të infektuarve në 41 mijë e 903 persona, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.
Profesori Neil Ferguson në mëngjes kërkoi nga populli britanik që të bëhet gati për shifra të larta të të prekurve në javët e ardhshme. Megjithatë, ai tha se distanca fizike mes njerëzve mund të ndikojë që situata të përmirësohet deri në fund të majit, nëse njerëzit i respektojnë rregullat e karantinës.
Ministrat po i lusin njerëzit që të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që sistemi shëndetësor të mos mbingarkohet me pacientë të infektuar.
Dje Mbretëria e Bashkuar e shënoi një statistikë tjetër të rëndë pasi numri i viktimave e kaloi shifrën e shënuar në Kinë, ku filloi së pari përhapja e virusit.
Bashkë me Italinë, Spanjën dhe Francën, Britania e Madhe është ndër shtetet me më së shumti viktima të koronavirusit në Evropë.