Qeveria e Britanisë së Madhe, për të zgjidhur problemin e migracionit, ka vendosur kufizime të reja në lidhje me regjimin e vizave, ndërsa rregullat do të zbatohen veçanërisht për dhënien e vizave studentore, raporton Klix, përcjell Fol Drejt.
Gjegjësisht, sipas njoftimit të qeverisë, studentët nga jashtë që vijnë në Britaninë e Madhe nuk do të mund të sjellin më familjarë, përveçse në kushte të caktuara.
Këto masa, të cilat do të hyjnë në fuqi në janar 2024, përfshijnë edhe një rregull që do të heqë mundësinë e kalimit nga viza studentore në vizë pune para përfundimit të studimeve, gjë që ka ndodhur shpesh deri tani.
“Gjatë vitit 2022 janë dhënë rreth 136 mijë viza për anëtarët e familjeve të studentëve. Ky numër ka qenë 16 mijë në vitin 2019. Jemi dëshmitarë të një rritje të paprecedentë të numrit të vizave studentore për të ashtuquajturit vartës. Është koha që kjo të kufizohet”, tha ministrja e Brendshme, Suella Braverman.
Për masat e reja foli edhe ministrja e Arsimit Gillian Keegan, e cila tha se Britania e Madhe vazhdon të tërheqë një numër të madh të studentëve më të mirë, gjë që kontribuon në universitetet, ekonominë dhe ndërtimin e marrëdhënieve globale.
“Megjithatë, numri i anëtarëve të familjes që studentët sjellin në Mbretërinë e Bashkuar është rritur ndjeshëm. Është e drejtë që ne po ndërmarrim veprime për të reduktuar këtë numër duke qëndruar të përkushtuar ndaj strategjisë sonë arsimore ndërkombëtare e cila vazhdon të pasurojë sektorin arsimor në Mbretërinë e Bashkuar,” tha Keegan.
Krahas këtyre masave, Britania e Madhe prej vitesh përfaqëson një vend me rregulla jashtëzakonisht të rrepta përsa i përket dhënies së vizave. Kur bëhet fjalë për dhënien e vizave studentore, procedura është disi më e lehtë në krahasim me dhënien e vizave të punës, për të cilën duhet të plotësohen një sërë kushtesh financiare dhe të tjera. /FolDrejt/