4.75 miliardë funte mendohet të shkojnë shpenzimet e britanikeve për blerjet e festave të fundvitit, me miliona vetë të përqendruar tek shitjet online e mijëra të tjerë që janë vënë në radhë pas mesnatës në qendrat tregtare dhe dyqanet anembanë vendit.
Shtypi britanik e quan “Boxing Day”, apo dita e uljeve pas krishtlindjeve.
Skena të tilla janë të zakonta në vend në 26 dhjetor, ka njerëz që presin gjithë natën për të mësyrë dyqanet ku mund të gjejnë atë që dëshirojnë me çmime shumë më të lira.
Ulje të ndjeshme kanë veshmbathjet, pajisjet elektronike dhe objektet për ambientet e brendshme. Mjaft shitës me pakicë po ofrojnë pazare goxha të mira në përpjekje për të rritur fitimet e për të inkurajuar vërshimin e blerësve.
Nuk janë të paktë ata që e konsiderojnë një ide ekstreme të presësh për orë të tëra në të ftohtë që dyqanet të hapen, por këta blerës mendojnë se ia vlen barra qiranë, pasi po të mbërrijnë më vonë, mund të mos i gjejnë gjerat që duan.
Një pjesë e dyqaneve hapen në orën 6 të mëngjesit, dhe ka njerëz që vihen në radhë atje që në 12 të natës për të siguruar vendet e para.