Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiq tha sot se Beogradi është gjithmonë i gatshëm për bisedime me Prishtinën, por se Bashkimi i Komunave Serbe duhet të formohet dhe se këtë herë është qëndrim i përbashkët i Serbisë dhe partnerëve të saj perëndimorë, në radhë të parë i BE-së dhe SHBA, shkruan N1info, përcjell Fol Drejt.
Në Samitin Botëror të Qeverive në Dubai, Brnabiq theksoi se Serbia ka treguar se deri në çfarë mase është e gatshme për dialog dhe sa tolerante dhe fleksibile është për të ruajtur stabilitetin, duke theksuar se është koha për të zbatuar Marrëveshjen e Brukselit dhe për të themeluar Asociacionin.
“Këtë herë dua të falënderoj partnerët tanë në Perëndim, sepse ata insistojnë në themelimin e Asociacionit në mënyrën se si u nënshkrua në 2013 dhe 2015 dhe në mënyrën se si diskutuam në fund të vitit 2022. Duket se edhe këtë herë jemi të sinkronizuar nga ky këndvështrim”, tha ajo, duke shtuar se dihet se çfarë është nënshkruar dhe çfarë duhet zbatuar.
E vërteta është se Kosova po ashtu është për vazhdimin e dialogut, por që ky proces ta ketë në qendër të vëmendjes njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve, si kusht themelor për vazhdimin e mëtejmë të procesit. Qeveria e Kosovës me në krye Albin Kurtin, nuk e ka përjashtuar mundësinë e implementimit të Asociacionit, por që kjo marrëveshje nuk mund të vendoset para asaj për njohje reciproke./FolDrejt/