Kryeministrja e Serbisë deklaroi se qëllimi i ndihmës sekretares së shtetit për marrëdhënie me Evropën dhe Azinë, Karen Donfried, e cila ishte në një vizitë zyrtare në Serbi, si dhe zyrtarë të tjerë amerikanë, ishte “njohja reciproke e Kosovës dhe Serbisë”.
“Ajo që ka ndryshuar tani është se ata tani jo vetëm po dëgjojnë, por po dëgjojnë edhe anën tonë dhe argumentet tona”, tha Brnabic për Pink TV.
Ajo vlerësoi se Shtetet e Bashkuara janë “shumë më eksplicite” se BE-ja në kritikat e Prishtinës “për gjithçka që nuk është bërë dhe për qëndrimin e tyre të pasinqertë në dialogun me Beogradin”.
“Edhe për mosformimin e Asociacionit të Komunave Serbe, edhe për ndalimin e serbëve për pjesëmarrje në referendum dhe votim në zgjedhje. Qëndrimi i tyre ndaj kësaj është shumë më i qartë”, tha kryeministrja.
Sipas saj, qëndrimi i ShBA-së për këtë çështje është mjaft i dobishëm për Prishtinën që të kthehet në tryezën e bisedimeve dhe që dialogu të vazhdojë, “pa marrë parasysh sa nuk pajtohet Serbia me SHBA-në për disa çështje themelore”.
Brnabiq, e cila u takua me Donfried të martën, vuri në dukje se pjesa më e madhe e atij takimi ishte kushtuar ekonomisë dhe teknologjive të informacionit dhe shtoi se një prani më e madhe e kompanive amerikane në Serbi do të shihet në javët e ardhshme./FolDrejt/