Kryesia Ekzekutive e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës sot mbajti takim me qëllim të shqyrtimit të situatës aktuale dhe të zhvillimeve të fundit pas protestës së 8 prillit 2022 e cila u vlerësua e duhur dhe e nevojshme e që dha rezultatin e saj si dhe u paraqit një raport lidhur me takimin që është mbajtur më 18 prill 2022 në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe Kryetarit të BSPK Atdhe Hykolli e shoqëruar nga anëtarja e Kryesisë Vjollca Shala njiherit edhe nënkryetare e SBASHK-ut.
BSPK-ja në këtë mbledhje ka vendosur që t’i japë përparësi dialogut me Qeverinë, duke lënë anash protestat. BSPK-ja vlerëson se kërkesat sindikale mund të arrihen me dialog, ku sipas këtij institucioni, takim i radhës me kryeministrin Albin Kurti pritet të mbahet së shpejti, transmeton Fol Drejt.
“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës informon anëtarësinë sindikale se kryesia ekzekutive e BSPK-së pas një diskutimi të gjerë e duke pasur parasysh se ka filluar dialogun me kryeministrin Kurti, dhe deklarimit të tij se kërkesat sindikale do të shqyrtohen me përgjegjësit qeveritarë dhe se për to do të informohet BSPK-ja për realizimin e kërkesave të pareshtura në takimin e radhës, i cili pritet që së shpejti të thirret nga kryeministri, mori vendim që t’i jepet mundësi dialogut duke tentuar që të arrihet marrëveshje me dialog. Pra duke prolonguar veprimet sindikale deri në takimin e ardhshëm të kryesisë ekzekutive të BSPK që do të mbahet më 8 prill”, ka njoftuar BPSK-ja./FolDrejt/