Shkupi konsideron se tani është momenti më pozitiv për gjetjen e një zgjidhjeje me Sofjen, që nuk duhet të vonohet, sepse çdo zgjatje zvogëlon shanset për marrëveshje dhe sjell pasiguri.
Qasje më konstruktive paralajmëruan edhe fituesit e zgjedhjeve parlamentare në Bullgari, por pa afate konkrete për zgjidhje.
Për momentin mbetet e hapur çështja nëse është e mundur heqja e bllokadës bullgare dhe fillimi i negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në.
”Kjo është periudha më pozitive për të gjetur zgjidhje. Për mua gjëja më e rëndësishme në vend është rruga euroatlantike dhe ajo që filloi me Bullgarinë. Në fund, jemi në fotofinish dhe nuk mund të lihet kështu. Qëllimi kur mund të përfundojë është i përcaktuar qartë, do të ketë periudhë kur Franca do të kryesojë (presidencën e radhës të BE-së – ATSH) dhe zgjedhjet do të jenë në pranverë kështu që periudha për të gjetur dritare për zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë është e shkurtër”, theksoi Zaev duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit me liderin e ”Alternativës”, Afrim Gashi.
Zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane Nikolla Dimitrov, sërish nga konferenca rajonale ”Një tregim i ripërtërirë për integrim të përshpejtuar në BE”, tha se ”Maqedonia e Veriut ka investuar kapital të madh politik në bazë të premtimeve evropiane, përgjigje të shumë kushteve strikte dhe ka ardhur koha të marrë miratimin e duhur, nëse vërtet BE-ja është bashkësi vlerash”.
Kiril Petkov, bashkëkryetar i koalicionit bullgar ”Ndryshimi vazhdon”, që fitoi në zgjedhjet parlamentare, deklaroi se njëra nga detyrat e para të ministrit të ri të Jashtëm të Bullgarisë është formimi i grupe të punës mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut të cilat do të
përfshijnë fusha të ndryshme.
Edhe presidenti i rizgjedhur bullgar, Rumen Radev pret dialog aktiv bilateral në nivel të lartë për ndërtim të besimit dhe tejkalim të çështjeve kontestuese në marrëdhëniet mes dy vendeve, por për momentin konsideron se Maqedonia e Veriut dhe jo Bullgaria është ajo
që duhet të tregojë zgjuarsi evropiane dhe respekt ndaj vlerave të BE-së.