Prizren
Në qytetin e Prizrenit në Kosovë u mbajt aktiviteti “Bunarfest” në të cilin sportistët pjesëmarrës përjetuan emocione të raftingut me kamerdare, raporton AA, transmeton Fol Drejt.
Në aktivitetin e zhvilluar në lumin Lumbardh të Prizrenit në kuadër të “Bunarfest” i cili këtë vit u mbajt për herë të 18-të, morën pjesë rreth 50 sportistë të cilët garuan duke përdorur kamerdaret e rrotave të kamionëve dhe traktorëve.
Kjo garë e jashtëzakonshme e cila synon të tërheqë vëmendjen për ndotjen në shtratin e lumit, filloi në rrëzë të Maleve të Sharrit ku ndodhet burimi i lumit Lumbardh dhe përfundoi në vijën e finishit në urën historike të Gurit në sheshin “Shatërvan”.
Garuesit e ardhur nga Kosova dhe vendet e rajonit, përjetuan momente plot emocione në ujërat e ftohtë të lumit Lumbardh.
Pas garës e cila vazhdoi për rreth një orë, u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve në të cilën sportistëve të suksesshëm iu dhanë medalje.
Në kuadër të festivalit, krahas garës së raftingut u mbajtën koncerte dhe aktivitete pastrimi në shtratin e lumit Lumbardh. /Fol Drejt/